Kthehu lart

Riaktualizohet projekti për ndërtimin e Teatrit dhe Operës “Ibrahim Rugova”

Riaktualizohet projekti për ndërtimin e Teatrit dhe Operës “Ibrahim Rugova” GazetaExpress

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, ka raportuar sot pranë Komisionit Parlamentar për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini, Sporte, Inovacion dhe Ndërmarrësi, për periudhën e tremujorit të fundit.

Ministri Gashi tha se për të është kënaqësi raportimi për herë të katërt pranë këtij komisioni parlamentar dhe se ky raportim ka të bëjë me disa veprime dhe vendime që kanë ndodhur në tre muajt e fundit. Ministri Gashi po ashtu tha se vitin 2019 e kemi filluar me hapjen e deskut Evropa Kreative. Pastaj ai raportoi se “Ka filluar punën MKRS-ja edhe në Prizren, kemi finalizuar ndryshim dhe plotësimin e disa ligjeve në fushën e kulturës, janë përfunduar konkurset për mbështetje të projekteve kulturore, është hapur konkursi për mbështetjen e botimeve për librin Prioritetet e Departamentit të Kulturës, kanë filluar procedurat për projektimin e objektit të Teatrit dhe Operës Dr. Ibrahim Rugova, etj.”

Ministri Gashi, përveç tjerash theksoi rritjen e buxhetit për këtë vit për të gjitha institucionet e kulturës, me theks të veçantë për filmin. “Kosova për herë të parë është paraqitur me një film të financuar nga shteti në njërin prej festivaleve më të mëdha në botë, në Berlinale, filmi ‘Në Mes’ i regjisorit prizrenas Samir Karahoda”, tha ministri Gashi.

Për sa i përket trashëgimisë kulturore, ministri Gashi tha se mbrojtja, ruajta dhe promovimi i trashëgimisë kulturore vazhdon të jetë një nga prioritetet e Ministrisë. “Programi i punës është i bazuar ne dokumentin Strategjia Kombetare per Trashëgimi Kulturore 2017-2027 dhe prioritetet e dërguara në kuadër të Planit të punës së Qeverisë. Plani është i shtrirë në pesë objektiva dhe zbatohet nga të gjitha institucionet vartëse të trashëgimisë kulturore”, tha ministri Gashi.

“Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka finalizuar draft-Strategjinë për Rini 2019-2023 si dhe Planin e Veprimit për Rini 2019-2021. Në kuadër të kësaj strategjie, MKRS-ja ka përcaktuar prioritetet e saj, gjate muajit te ardhshëm ky dokument do te aprovohet. Këtë vit po fillojmë me plotësimin dhe Ndryshimin e Ligjit për Fuqizimin dhe Pjesëmarrjen e Rinise përmes te cilit do ti adresojmë te gjitha kërkesat e te rinjve dhe organizatave tjera si dhe këtë ligj do ta harmonizojmë me legjislacionin e BE-së”, raportoi ministri Gashi.

    Data: 05 Mars 2019 00:56
    Autori: GazetaExpress

    Të tjera