Kthehu lart

Hana Noka flet për librin e saj shumë të përfolur "Besa Po"

Hana Noka flet për librin e saj shumë të përfolur "Besa Po" GazetaExpress

Libri i saj, “Besa Po”, shumë i përfolur në Hollywood, bashkon të gjithë Shqiptarët në përkrahje. Që nga sot “Besa Po”, njërin ndër librat më të përfolur të vitit mund ta porositni në platformat online më të mëdha të botës: Amazon, Barnes & Noble e shumë të tjera.

Reklama promovuese apo Trailer-i i librit të parë të aktores/modeles dhe tash autores Hana Noka u shfaq për herë të parë për tregun boteror para disa muajve. Trailer-i është punuar nga një ndër produksionet e njohura në Hollywood në  bashkëpunim me kostumografen Wendy Benbrook, fituese e dy çmimeve prestigjoze Emmy Awards. Shfaqja e këtij trailer-it i cili krijon emocione rrënqethëse, po zgjon interesim enorm si në SHBA po ashtu edhe te Shqiptarët në mbarë botën të cilët ofruan përkrahje dhe të jashtëzakonshme.

Gazeta Express: Përshëndetje Hana, A mund të na tregosh diçka më shumë në lidhje me librin:

Hana: Libri Besa Po është një version i fiksionalizuar i bazuar në fakte historike. Përshkruan historinë e Mbretëreshës Teutë gjatë periudhës 231-227 (P.E.R). Është një roman që u dedikohet më shumë lexueseve të gjeneratave më të reja, të cilët në të do të gjejnë një rrëfim për dashuri, heroizëm, tradhti, intriga por mbi të gjitha një rrëfim për triumfin e vullnetit njerëzor përballë sfidave gjigante. Libri është i shkruar në gjuhën angleze dhe më ka marrë afër dy vite për ta përfunduar.

Gazeta Express: Libri ka zgjuar shumë interesim si tek Amerikanët poashtu edhe në diasporën Shqiptare. Si e shpjegoni këtë?

Hana: Në Amerikë dhe në mbarë botën, fuqia dhe te drejtat e gruas janë në fokus më shumë se kurrë më parë. Besa Po, rrëfimi i dashurisë, fuqisë, karakterit dhe madhështisë të një ndër grave të para me titullin Mbretëreshë në historinë e njerëzimit, ka gjeneruar shumë kuriozitet. Veç jam kontaktuar nga disa produkcione të mëdha të Hollywood-it për të blere të drejtat për realizimin e filmit/TV serialit në bazë të librit. Në këtë rrugëtim, përkrahja e madhe nga Shqiptarët prej mbarë botës më ka emocionuar dhe ngazëllyer tej mase. U falënderohem të gjithëve përulësisht nga thellësia e zemrës për fjalet inkurajuese. Fakti që shumë nga veç se kanë filluar ta porosisin librin më tregon që përkrahja dhe interesimi i tyre për librin ishte i sinqertë.  

Gazeta Express: Libri është i shkruar në gjuhën angleze. A planifikoni ta përktheni edhe në gjuhën Shqipe?

Hana: Së pari kam qenë e fokusuar ta botoj librin në gjuhën Angleze, por gjithsesi se libri do të përkthehet edhe në gjuhen Shqipe. Një rrëfim për Mbretëreshën Teutë nuk do të ishte komplet dhe I kuptimtë plotësisht pot ë mos botohej edhe në gjuhën Shqipe. Ndërkohë, nëse ka kërkesë të mjaftueshme do ta shqyrtoj edhe idenë që ta botoj librin edhe në gjuhë tjera.

Gazeta Express: Prej nga të lindi ideja që ta shkruash librin?

Hana: Gjithmonë kam qenë e interesuar në tregimet rreth grave të fuqishme në histori. Ndoshta pse jam rritur nga një nene dhe një gjyshe e fuqishme, nga të cilat kam mësuar shumë, kam mësuar të ballafaqohem me jetën pa frikë, të jem krenare edhe kur jeta sjell dhimbje, të mbaj kokën lart, të mos harroj nga vij dhe kush jam dhe gjithmonë të jam e vetëdijshme se secila femër është super heroinë në vete. Tregimin dhe legjendat rreth Mbretëreshës Teutë i kam dëgjuar së pari nga gjyshi i im, Prof. Dr. Skender Rizaj. Si historian që pas vetë ka mbi 200 libra dhe punime shkencore dhe si personalitet që ka respect të veçantë ndaj gruas, më ka ndihmuar si këshilltari kryesor gjatë rrugëtimit tim disa vjeçar që ta shkruaj librin dhe t’ia tregoj mbarë botës këtë rrëfim të posaçëm e unik.

Gazeta Express: Të urojmë shumë suksese e punë të mbarë, ne do ta porosisim librin në njërën nga platformat që i përmende por duhet të na premtosh që do të na e nënshkruash kur të vish në Prishtinë.

Hana: Me kënaqësinë më të madhe. Ju faleminderit shumë për përkrahjen e vazhdueshme. Gjith të mirat për ju dhe familjet tuaja. Shumë urime për festat e fundvitit. Shihemi në Prishtinë.

    Data: 26 Dhjetor 2018 13:40
    Autori: GazetaExpress

    Të tjera